Ekonomia



Ekonomia

Përpara vitit 1991, Partia Komuniste atëherë në pushtet e drejtonte ekonominë e vendit me anë të një serie planesh pesë-vjeçare. Të gjitha degët prodhuese kontrolloheshin nga shteti, bujqësia ishte kolektivizuar plotësisht dhe industria ishte pronë e shtetit, ndërsa sipërmarrjet private ishin të ndaluara rreptësisht. Përveç kësajKushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë e ndalonte qeverinë të kërkonte ndihma nga jashtë, të pranonte borxhe apo të lejonte investime të huaja në vend. Dështimi i kësaj ekonomie të kontrolluar e shtyu qeverinë paskomuniste të decentralizojë procesin e vendimmarrjes ekonomike. Ndalimi i tregtisë private është shfuqizuar qysh nga fillimi i viteve 90-të, qeveria ka kohë që pranon borxhe dhe kredi të huaja, dhe përpiqet të krijojë vende të reja pune, me anë të bashkëpunimeve me partnerët nga jashtë. Këto masa kanë për qëllim rritjen e industrisë së lehtë, prodhimet ushqimore dhe bujqësore, si dhe ekonominë në tërësi. Progresi i viteve të fundit është i dukshëm, tregu permban të gjithë artikujt e nevojshëm industrialë dhe bujqësorë, ekonomia në përgjithësi po ecën me hapa të shpejta dhe po zhvillohet gradualisht duke pasur për çdo vit një rritje mesatarisht shumë të lartë vjetore në krahasim me vendet e tjera të Evropës Juglindore.


Nafta

Në jug të Shqipërisë do të kërkohet për gaz dhe naftë dhe për këtë tashmë është nënshkruar marrëveshja. Kërkimi për lëndët djegëse tejet të rëndësishme në kohën tonë, i është besuar kompanisë amerikane "Sky Petroleum".
Investimi i kompanisë Sky Petroleum për kërkimin e naftës dhe të gazit në Bllokun 4 dhe 5 dhe në zonën e Dumresë është rreth 7-8 milionë dollarë, ndërsa parashikimet flasin për një potencial naftë mbajtës deri në 900 milionë barrela. Duke besuar tek konfirmimi i shifrave nga kërkimet, përpunimi i të dhënave sizmike dy dimensionale, si dhe nga shpimet e reja, që sipas marrëveshjes do të bëhen nga kompania amerikane "Sky Petroleum", ish ministri Prifti u shpreh shumë i kënaqur, që kompania ka treguar interes për të kërkuar në këtë zonë të Shqipërisë.

Në vitin e parë kompania do të bëjë përpunimin e të dhënave sizmike dydimensionale, të cilat janë sot në arkivat tona, rishikimin dhe përpunimin e tyre. Më pas, në vitet e tjera ka një grafikë të detajuar të investime dhe kërkimeve në këto zona. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë Sky Petroleum, Karim Jabanputra vlerësoi shpejtësinë dhe lehtësinë e procesit për nënshkrimit e marrëveshjes me ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.